Kosovë – Nëntë familje me rreth 70 anëtarë janë evakuuar sonte nga lagjja “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës, pasi shtëpitë e tyre janë konsideruar si të rrezikuara nga përmbytjet eventuale si pasojë e reshjeve të pandërprera të borës dhe shiut.
Komuna e Gjakovës thotë se për , shkruan Shenjavlerësimin e gjendjes dhe mundësimin e evakuimit janë përkujdesur anëtarët e komisionit komunal, të formuar sot nga kryetari i komunës Ardian Gjini, e të cilët gjatë tërë ditës kanë qëndruar në terren në vlerësim dhe sanim të situatës së krijuar mëngjesin e sotëm, njofton Klan Kosova.
Sipas informatave nga anëtarët e këtij komisioni, rreth 70 banorët e evakuuar, prej sonte do të strehohen përkohësisht në ambientet e aeroportit të Gjakovës. Sipas tyre, ky vend i plotëson të gjitha kushtet për një jetë normale.
“Për transportin, vendosjen e tyre, ushqimin dhe pajisjet tjera të nevojshme është përkujdesur komuna e Gjakovës, ndërsa nuk ka munguar edhe përkrahje e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po ashtu kanë kontribuar në strehimin e këtyre familjeve. Ndërsa për nesër është paraparë edhe një vizitë rutinore shëndetësore nga ekipet e QKMF-së së Gjakovës”, thuhet në njoftim.
Komuna thotë se ekipet komunale të të gjitha niveleve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie dhe të përgatitur për secilin intervenim të mundshëm në rast të përkeqësimit të situatës./ora24.tv/