AAA nesër vendosë nëse do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar

Partia opozitare “Alternativa” ka caktuar seancën e Kryesisë Qendrore për nesër në ora 18:00, e cila është shtyrë për shkak të tri ditëve zie dhe aksidentit të autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 pasagjerë, raporton koha.mk.

Anëtari dhe deputeti “Alternativës” Skender Rexhepi deklaroi për MIA-n se nesër në mbrëmje anëtarët e Kryesisë Qendrore duhet t’i japin orientim Kuvendit Qendror, organit më të lartë të partisë dhe do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë dhe e shumicës parlamentare apo mbeten pjesë e bllokut opozitar.

“Besoj se në një dialog do të përballemi me të gjitha argumentet “për” dhe “kundër” dhe se do të merret një vendim i duhur”, thotë Rexhepi.

Qëndrimi i tij është, siç tha ai, nëse “Alternativa” vendos të bëhet pjesë e Qeverisë, kusht duhet të jetë prioriteti i programit të partisë para pozitave të pushtetit.

Kryetari i partisë, Afrim Gashi, javën e kaluar ka takuar kryeministrin dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev, ku është zyrtarizuar propozimi që “Alternativa” të jetë pjesë e koalicionit qeveritar, i cili do të rrisë edhe shumicën në Kuvend me katër deputetë.

Nënshkrues të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ishin edhe deputetët e “Alternativës”, por pasi në seancë nuk erdhi Kastriot Rexhepi nga partia opozitare Lëvizja Besa, kjo tentativë e partive opozitare dështoi. Tani Zoran Zaev po tenton të rrisë shumicën në Kuvend që në vend të 61 deputetëve të jenë 65. Kjo do të mundësonte forcimin e pozitave të mazhorancës dhe Qeveri të qëndrueshme../ora24.tv