Abazoviç akuzon Gjukanoviçin: Ke 12,4 mln euro taksa pa paguar. Presidenti: Po mashtron, nuk i kam borxh asnjë cent në tatime

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar sot se presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, i ka borxh shtetit 12,4 milionë euro në tatime, shkruan shekulli.com

Përmes një postimi në Twitter, Abazoviç tha se ndoshta Gjukanoviçi për këtë shkak po fshihet prapa ngritjes së tensioneve, prapa deklaratave për identitet e të tjera. Por theksoi se “s’ka më të paprekshëm”.

Këtyre deklaratave iu kundërpërgjigj presidenti malazez, duke thënë se janë gënjeshtra dhe mashtrime.

“Deklarata e Dritan Abazoviçit se kam borxhe tatimore është gënjeshtër dhe mashtrim tipik. Si qytetar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviçi nuk i ka borxh asnjë cent në tatime, apo në ndonjë bazë tjetër.

Është e vërtetë, dhe për këtë e di edhe opinioni, se për vite me radhë jam aksioner në kompaninë ‘Global Montenegro’, e cila si entitet juridik, dhe jo unë personalisht, nga një gabim i dukshëm i administratës së kompanisë, ka borxh në total prej 1,900 euro, e jo siç pretendon manipulimi: 12,4 milionë euro”, deklaroi Gjukanoviçi në disa cicërima në Twitter.

Më tej, presidenti malazez, i cili e humbi pushtetin pikërisht falë dhe partisë së Abazoviçit, duke formuar koalicion me partitë pro-serbe, e akuzoi këtë të fundit se po punon për “nacionalizmin serbomadh”.

“Ajo çfarë është më e keqja është se ai mendon që ne jemi mblesëtarë siç është ai, e ndoshta edhe shqetësimi im për identitetin dhe rrezikimin e Malit të Zi nga nacionalizmi serbomadh, të cilit ai i shërben, në të vërtetë është për shkak të borxhit fiktiv të taksave. Turp për Qeverinë e Malit të Zi”, u shpreh Gjukanovici./ora24.tv/