Strugë – Më 11 janar, në spitalin e qytetit në Strugë, nga COVID-19 dhe disa komplikime tjera shëndetësore, u nda nga jeta, Selami Vinca, mësues në pension, përndryshe vëllai i profesorit të njohur Universitar, Agim Vinca. Profesori Vinca, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përvec jetëpërshkrimit për vëllain e tij të ndjerë, ka shkruar për një fenomen, që fatkeqësisht, shqiptarët përballen gati për cdo ditë – përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucione, njofton KlanMacedonia
“Ra ky mort e u pamë” – thotë në shkrimin e tij në Facebook, Profesori Agim Vinca. Ku është barazia gjuhësore, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë në Maqedoni? As në vdekje nuk jemi të barabartë! – shkruan Vinca duke sqaruar se dokumenti zyrtar, që e ka kërkuar nga Spitali I Strugës për shkaqet e vdekjes , ka qenë vetëm në gjuhën maqedonase, sic thotë, edhe pse Struga është Komunë me shumicë shqiptare. Por, ai këtë problem nuk e sheh si individual por institucional.
” Përrallisin pa pushim deputetë, ministra, zëvendës-ministra e zëvendëskryeministra, drejtorë agjencish e kryetarë partish, të vjetër e të rinj, “të majtë” e “të djathtë”, të tillë e të atillë: “Shqipja, gjuhë zyrtare!”. Kështu thonë, ndërsa enden me vetura zyrtare e marrin rroga e mëditje të majme dhe shesin mend e patriotizëm poshtë e lart nëpër studio televizive e portale, jo vetëm në Shkup e Tetovë, ku i kanë zyrat, por edhe në Prishtinë e në Tiranë”, thekson AGIM VINCA – FB
Profesori Vinca shkruan se po të ndodhte kështu me serbin në Kosovë do të shkonte puna deri në OKB! Për situatën me gjuhën shqipe në Maqedoni, gishtin e drejton tek partitë politike shqiptare duke mos amnistuar as Shqipërinë e as Kosovën.
“Që në RMV nuk është zgjidhur ende problemi i statusit të gjuhës shqipe, fajin e kanë në radhë të parë partitë politike shqiptare në këtë shtet, të cilat nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 e deri më sot, pra plot tridhjetë vjet, participojnë në pushtet, por as shteti amë, Republika e Shqipërisë, nuk është pa faj, e as “shteti i dytë shqiptar në Ballkan”, Republika e Kosovës, nuk mund të amnistohet krejtësisht”, shprehet AGIM VINCA – FB
Në fund, Profesori Vinca ka drejtuar kritika edhe në adresë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, respektivisht shpalljen e tij “Doktor Nderi” I Universitetit të Tetovës ”për kontributin e tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, por shqiptarët në këtë shtet, sic shkruan në Facebook Profesori Agim Vinca, në shtetin në të cilin ai i përfaqëson ata qe njëzet vjet, ende jetojnë dhe vdesin maqedonisht! /ora24.tv/