Al Qaeda zotohet për luftë ‘në të gjitha frontet’ me Amerikën

Kjo javë shënon përvjetorin e 10-të qëkur Osama Bin Laden, njeriu që qëndronte pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u vra në një operacion të forcave speciale amerikane, Seal Team 6, brenda një ndërtesë të rrethuar me mure të larta në qytetin e Abbottabad, në Pakistan. Emri i tij dhe ai i rrjetit të tij terrorist, al Qaeda, solli një epokë të re në reagimin dhe masat ndaj terrorizmit, raporton tv klan.

Tanimë lufta e Amerikës ndaj terrorizmit, pritet që të hyjë në një fazë të re, teksa Presidenti Joe Biden përgatitet për të tërhequr të gjitha trupat e SHBA nga Afganistani, në 20 vjetorin e 9/11. Por tani al Qaeda deklaron se lufta e saj me Amerikën është shumë larg fundit.

Në një intervistë ekskluzive për CNN, të realizuar nëpërmjet ndërmjetësve, dy operativë të al Qaeda-s, deklaruan se “lufta kundër SHBA do të vijojë në të gjitha frontet e tjera, derisa ata të dëbohen nga pjesa tjetër e botës islamike”.

Në të shkuarën, kanë qenë të rralla përgjigjet e al Qaeda-s ndaj pyetjeve të medias, duke zgjedhur që të fshihej në propagandën e prodhuar prej vetë saj. CNN shkruan se mbetet e paqartë përse ky grup zgjodhi të bënte të kundërtën këtë herë.

Analisti për terrorizmin, Paul Cruisckshank, i cili analizoi përgjigjet e al Qaeda-s, thotë se është e mundur që “ata ndihen të stimuluar nga vendimi i administratës së Biden për të tërhequr trupat nga Afganistani, por mund të jenë gjithashtu duke u përpjekur për të larguar vëmendjen nga disfata e pësuara kohët e fundit”.

Sot, ky grup terrorist që dikur ishte në qendër të vëmendjes në mbarë botën është reduktuar tej mase, megjithatë është larg zhdukjes. Tanimë thotë se po planifikon të rikthehet në skenë, pasi trupat amerikane të largohen nga Afganistani, duke u futur sërish në partneritet me talebanët./ora24.tv