Aneksimi, Rusia vendos veto për rezolutën


Rusia ka vënë veton ndaj një rezolute të OKB-së që do të dënonte referendumet e saj “të paligjshme” në katër rajone të Ukrainës. Votimi në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh ishte 10-1, me Kinën, Indinë, Brazilin dhe Gabonin që abstenuan.

Ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA dhe Shqipëria që hartuan rezolutën do ta çojnë atë në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh ku nuk ka veto, “dhe të tregojnë se bota është ende në anën e sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit territorial”.

“Ju sapo patë Rusinë të mbrohet edhe një herë nga përgjegjësia duke përdorur të drejtën e vetos. Kjo nuk është për t’u habitur, por është një turp për këtë institucion. Është një fyerje për çdo shtet anëtar që ka nënshkruar Kartën e OKB-së. Gjithashtu do të vazhdojmë të ndjekim përgjegjësinë këtu në Kombet e Bashkuara. Ne po shkojmë në Asamblenë e Përgjithshme, ku çdo vendi ka një votë”, tha Linda Thomas Grinfild, Ambasadore e SHBA-së në OKB.

Barbara Woodward, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, tha se Rusia ka abuzuar me votën e saj të vetos.

“Asnjë anëtar tjetër i këtij këshilli nuk e njeh tentativën e Rusisë për aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas. Vetoja e Rusisë nuk e ndryshon këtë fakt”, deklaroi Barbara Vudvard, Ambasadore e Britanisë në OKB.

“Referendumi i rremë është element agresioni kundër një shteti sovran dhe kushdo që është i përfshirë në organizimin apo kryerjen e kësaj farse do të mbajë përgjegjësi”, tha Sergej Kislitsia, Ambasador i Ukrainës në OKB.

Ambasadori rus Vassily Nebenzia mbrojti referendumet, duke pretenduar se më shumë se 100 vëzhgues ndërkombëtarë nga Italia, Gjermania, Venezuela dhe Letonia që vëzhguan votimin i njohën rezultatet si legjitime. Votimi i këshillit erdhi disa orë pas një ceremonie të Kremlinit, ku Presidenti Vladimir Putin nënshkroi traktatet për aneksimin e rajoneve ukrainase të pushtuara nga Rusia, Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, duke thënë se ato tani ishin pjesë e Rusisë dhe do të mbroheshin nga Moska./Alsat.mk