BAHTIRI I REAGON HOXHAJT: IA PËRMEND “GRUPET E AFËRTA KRIMINALE ME PDK-NË”

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i është kundërpërgjigjur kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherit kandidatit për kryeministër, Enver Hoxhaj, i cili e kritikoi për qeverisjen duke thënë se kjo komunë është shndërruar në qytetin më të varfër nga kryetari më i pasur, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri është shprehur se Hoxhaj e di më së miri kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, ndërsa ka shtuar se ky qytet është ndarë në dy pjesë nga “grupet e afërta kriminale me PDK-në”, përcjellë insajderi.com

“Enver Hoxhaj paska folur për Mitrovicën dhe qeverisjen time komunale, duke bërë akuza pa asnjë argumentim konkret, por vetëm duke shpifur siç dinë të bëjë partia e tij fushata zgjedhore dhe jo vetëm. Se kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, duhet ta dijë më së miri Enver Hoxhaj dhe partia e tij, të cilët qytetin më të zhvilluar ekonomikisht e kanë ndarë në dy pjesë, ndarje të cilën e kanë përdorë grupet e afërta kriminale me PDK-në për kontrabandë dhe në përgjithësi për biznes me serbët e veriut”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Tutje, Bahtiri tha se Mitrovicën e udhëhequr nga PDK-ja e ka gjetur të rrethuar me barrikada dhe me vrasje si në asnjë qytet tjetër e me haraç, por shtoi se tani Mitrovica, nën udhëheqjen e tij, është qytet i qetë dhe vitin 2019 e ka përmbyllur pa asnjë vrasje./ora24.tv/

Në linkun më poshtë, e keni deklaratën e Agim Bahtirit:

https://www.facebook.com/Agim.Bahtirii/photos/a.270853443259175/1408675222810319/?type=3