Bekteshi: Nisa bisedat me kompanitë që na ofroi VMRO-DPMNE, presim ofertat për gaz

Ministria e Ekonomisë ka filluar komunikimin me kompanitë e huaja të cilat VMRO-DPMNE i ofroi, me qëllim që pushteti të mund të sigurojë gaz dhe lëndë tjera të nevojshme për prodhim të energjisë elektrike me çmim më të lirë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka deklaruar për Alsat, se brenda pak ditësh me njërën nga kompanitë do të takohen për të biseduar detajet.

“Unë drejtpërdrejtë kam komunikuar me kompani e cila merret me furnizimin me gaz natyror, është kompani e cila është në kuadër të kontinentit evropian, e deri në fund të kësaj jave, apo në fillim të javës së ardhshme do të ulemi së bashku me drejtorin e përgjithshëm dhe këshilltarin e kryeministrit që të negociojmë rreth kushteve, obligimeve të cilat ata mund ti kenë, por edhe ofertën sa i përket çmimit por edhe sasisë së gazit natyror për nevojën e funksionimit të TETO-s…. nëse çmimi është i favorshëm, plotësohen kushtet sipas rregullave dhe ligjeve të RMV-së atëherë do ta njoftojmë opinionin rreth detajeve”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Lidhur me masat anti-krizë që duhet të marrë Këshilli ekonomik dhe social të mërkurën e ardhshme, ministri Bekteshi thotë se fokusi i ndihmave do të jetë tek qytetarët me nevoja të veçanta, qytetarët që janë kategori sociale dhe tek pensionistët me të ardhura të ulëta. Ndërsa mjetet do të ndahen nga buxheti i shtetit të cilin Ministria e Financave e ka rishikuar.