Denoncime për bomba në disa lokacione në Beograd

Njoftime për mjete eksplozive ka pasur sot në tre qendra tregtare dhe në kopshtin zoologjik në Beograd, konfirmoi Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP) për Radion Evropa e Lirë (RFE).

Policia e Beogradit në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se janë në terren, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për raporte të rreme.

Raportime të rreme për bomba janë pranuar sot në dy konvikte në Beograd, njoftoi Ministria e Arsimit.

“Anëtarët e MPB-së kanë dalë në terren dhe kanë evakuuar menjëherë rreth 2500 studentë nga dy konviktet. Pas kontrollit të detajuar nga ekipet e kundër-sabotazhit të MPB-së, është konstatuar se raportimet për bomba janë të rreme”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Informim të Sigurisë, po merr përsipër punën nga prokuroritë themelore publike për zbulimin e personave që thuajse çdo ditë kanë raportuar rrejshëm për bomba nëpër ndërtesa.

“Ky lloj veprimi është i nevojshëm për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e krimit që shkaktojnë panik dhe trazira dhe ndoshta edhe krime të tjera”, thuhet në deklaratë.

Më herët, më 29 prill, u raportua se bomba ishin vendosur në 23 shkolla të mesme në Beograd, ku policia zbuloi se të gjitha raportimet ishin të rreme. Përveç kësaj, gjatë marsit dhe prillit, publiku u trondit nga disa akuza të rreme për bomba në fluturimet e Air Serbia nga Beogradi në Moskë.