“Dorëheqjet”, Jeton Shasivari: Nocioni përgjegjësi morale, abstrakt

Sipas ekspertëve nuk i takon kryeministrit të vendosë për dorëheqjet morale të ministrave, por të njëjtat duhet të procedohen menjëherë. Sipas profesorit Jeton Shasivari nëse dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë Filipçe injorohet, përgjegjësia bie mbi tërë Qeverinë, raporton alsat.

“Nëse kreu i Qeverisë vendos ti injoroj këto dorëheqje morale, atëherë me automatizëm këto dorëheqje do transformohen në përgjegjësi kolektive të Qeverisë, dhe ajo praktikisht do të thotë se në vendin tonë ka nivel shumë të ulët të kulturës politike dhe traditës politike, ndërsa porosia që do i dërgohet opinion është se në shtetin tonë nocioni ministër dhe përgjegjësi morale janë thjesht nocione abstrakte. Pra problemi është tek kryetari i Qeverisë, sepse ai e ka bllokuar procedurën kushtetuese dhe parlamentare dhe derisa është kështu, ai është jashtë kornizës kushtetuese të nenit 94 paragrafi një që përcakton se ministri ka të drejtë të jep dorëheqje, e që në këtë situatë është konsumuar edhe nga ministri edhe nga zëvendës ministri i Shëndetësisë”, deklaroi Jeton Shasivari, profesor i të Drejtës kushtetuese./ora24.tv