E dhimbshme, fizioterapeuti i Kombëtares së Shqipërisë humb jetën nga COVID-19

Futbolli shqiptar ka marrë një lajm të hidhur ditën e sotme.

Fizioterapeuti i Kombëtares së Shqipërisë, Ylli Mihali ka humbur jetën pas një beteje me COVID-19, raporton telegrafi.

Mihali kishte disa ditë që ishte i infektuar me COVID-19 dhe nuk ia doli ta fitoj këtë betejë.

Lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë para ndeshjes me San Marinon zbritën në fushë me fanella mbështetëse për Mihalin, por që ky i fundi nuk arriti të mbijetojë nga sëmundja e rëndë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Shqipërisë.

Postimi i plotë nga FSHF:

Të dashur anëtarë të komunitetit të futbollit!

Sot mësuam lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të mjekut fizioterapist, Ylli Mihali (Skorovoda). Në këto çaste të vështira për familjen e tij dhe për të gjithë komunitetin e futbollit është e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Zemrat tona janë të prekura nga kjo humbje e parakohshme e njeriut zemërmirë, që për pothuajse 30 vite ka dhënë një kontribut të pamasë për futbollin dhe ekipin Kombëtar shqiptar.

Sportistët, të rinjtë dhe të rejat, të cilët gjenin tek Ylli mbështetjen në momente të vështira, nuk do të kenë më pranë profesionistin duarartë, që largonte dhimbjet dhe rikthente buzëqeshjet. Mungesa e tij do të jetë vetëm fizike, pasi ai do të jetë i paharrueshëm për të gjithë për gjithçka ka dhënë për futbollin në tre dekada.

Federata Shqiptare e Futbollit, ekipi Kombëtar shqiptar dhe i gjithë komuniteti i futbollit i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërme dhe miqve të pafund të Yllit tonë.

𝑳𝒂𝒎𝒕𝒖𝒎𝒊𝒓𝒆̈ 𝒌𝒂𝒎𝒑𝒊𝒐𝒏!
𝑲𝒖𝒋𝒕𝒊𝒎𝒊 𝒚𝒕 𝒅𝒐 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒃𝒆𝒕𝒆𝒕 𝒊 𝒑𝒂𝒉𝒂𝒓𝒓𝒖𝒂𝒓!
𝑼 𝒑𝒓𝒆𝒉𝒔𝒉 𝒏𝒆̈ 𝒑𝒂𝒒𝒆!  /ora24.tv