“E ndërruan me Vjosa Osmanin”: A e përdori VV’ja për vota Murat Jasharin për president

Kosovë – Marrëveshja e cila u nënshkrua në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ka si pikë të veçantë edhe çështjen e presidentit, aty është bërë e ditur se vet Vjosa Osmani do të jetë kandidate për presidente të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

Më herët gjatë debatit për presidentin, Vetëvendosje dhe Albin Kurti kishin insistuar që pozita e presidentit nuk duhet të jetë figurë partiake, por duhet të jetë figurë që unifikon spektrin politik.

Si emër ishte përmendur Murat Jashari, i cili duket se tani më nuk e ka vëmendjen e VV’së, pasi sipas të gjitha gjasave emri tij është përdorur më shumë për elektorat.

Vetëvendosje në çdo debat insistonte se si emër unifikues i popullit ishte Murat Jashari nga Prekazi, por duket se gjithçka ishte për konsum të brendshëm dhe deklarata për elektorat.

Derisa në një konferencë u nënshkrua marrëveshje për garim në një listë të përbashkët zgjedhore, në mes VV’së dhe Vjosa Osmanit, lideri i partisë lavdëroi Osmanin për punën e kryer si presidente në detyrë dhe u shpreh se ajo do të ishte kandidate e këtij koalicioni për presidente të vendit, gjë që efektivisht ia pamundëson kandidimin Murat Jasharit nga familja Jashari.

Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me emrin e këtij të fundit, vetëm se ai tani nuk mund të jetë kandidat potencial i propozuar nga VV.

Deri më tani kandidaturën hapur për pozitën e Presidentit e ka shpallur Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani. /ora24.tv/