Edhe një vend i NATO-s dërgon avionë luftarakë në Ukrainë, Rusia: Do t’i shkatërrojmë të gjitha

Kremlini ka kërcënuar se do të shkatërrojë çdo avion luftarak dhënë Ukrainës nga aleatët e tij, pasi dy vende premtuan avionë të epokës sovjetike, shkruan BBC.

Sllovakia u bë vendi i dytë i NATO-s që i premtoi Kievit disa avionë MiG-29 të premten, një ditë pas Polonisë.

Flota e Sllovakisë u ndalua vitin e kaluar dhe nuk i përdor më avionët.

Ukraina u ka kërkuar vendeve perëndimore avionë modernë, por për shkak të kohërave të gjata të trajnimit, këto shihen vetëm si opsione afatgjata.

Ukraina i sheh avionët shtesë si të rëndësishëm për mbrojtjen e saj dhe kundërsulmet e mundshme, një vit pas pushtimit të Rusisë.

Vende të tjera të NATO-s po shqyrtojnë dërgimin e avionëve të epokës sovjetike si MiG, me të cilin pilotët ukrainas janë të trajnuar për të fluturuar.

Është lëvizje pozitive për Ukrainën – e cila ka më shumë pilotë se avionë – por nuk do të bëjë ndonjë ndryshim vendimtar.

Ukrainasit thonë se ajo që u nevojitet vërtet janë avionët F-16 të prodhuar nga SHBA-ja.

Kjo duket ende e pamundur – të paktën tani për tani, pasi do të duhej kohë për të trajnuar pilotët ukrainas në avionët perëndimorë.

Oficerët ushtarakë perëndimorë mbeten skeptikë për avionët modernë – fokusi i tyre është të ndihmojnë Ukrainën të fitojë betejën në terren.