Gazetarët shënjestër të kritikave, por më pak të paguar

Ka 20 vite që gazetari Aleksandër Samarxhiev nga qyteti i Tetovës, ushtron këtë profesion. Tani për tani, është i detyruar të punojë në më shumë mediume që të sigurojë mbijetesën. Samarxhiev thotë se që kur u mbyll një televizion lokal në Tetovë, në të cilin ishte kryeredaktor, mbeti pa punë. Si një gazetar me përvojë, ai tani punon në disa mediume ku edhe pagesën e merr në bazë të temave dhe kronikave që i përgatit. Për të, problemi kryesor mbetet sigurimi shëndetësor dhe pensional, raporton Portalb.mk.

“Tani një kohë të gjatë jam pa sigurim shëndetësor dhe pensional, ndonjëherë mendoj që të filloj dhe të paguaj vetë kontributet, por puna që jam duke bërë paguhet në bazë të numrit të kronikave. Duhet të përgatis më shumë kronika në muaj që të arrijë të sigurojë një pagesë për ti mbuluar harxhimet e familjes dhe të dy fëmijëve të mi.” thotë ai.

Ai thotë se gazetaria nga viti në vit paguhet më pak, si dhe nuk vlerësohet aq sa duhet.

“Ne gazetarët jemi kategoria më pak e paguar dhe e vlerësuar në shoqëri. Shumica e mediumeve janë në pronësi të biznesmenëve, për habi, të punësuarit që i kanë në bizneset e tjera, i paguajnë me një pagesë më të madhe, ndërsa, kur vjen puna te gazetarët ose korrespodentët, asnjëherë rroga nuk e kalon shifrën prej 300 eurove. Nga ana tjetër, puna e korrespodentit, për dallim nga të tjerët është shumë e vështirë, ne asnjëherë nuk kemi orar pune, duhet të hulumtojmë dhe të verifikojmë, të jemi të gatshëm që ­çdo kohë tu përgjigjemi nevojave të medias bazë, ndërsa në anën tjetër jemi kategoria që më pak vlerësohemi dhe paguhemi. Ne gazetarët do të duhet fillimisht të jemi të përgatitur profesionalisht, më pas duhet t’i njohim edhe respektojmë të gjitha ligjet dhe normat e etikës, duhet të jemi të përgatitur në çfarëdo lloj situate, si në aspektin fizik po ashtu edhe atë psikik, pasi për çdo ditë apo për çdo kronikë duhet që të përballemi me situata të ndryshme. Nëse një gazetar nuk i plotëson kriteret, nuk mund ta ushtrojë këtë profesion. Dhe për këtë shkak, numri i gazetarëve të rinj, sa vjen dhe zvogëlohet” thotë për Portalb.mk, Samarxhiev.

Fatkeqësisht Aleksandri nuk është i vetmi. Edhe Zoran Dimovski është gazetar i cili jeton dhe punon në Tetovë. Dimovski thotë se ka qenë i angazhuar si korrespodent në një media nacionale dhe në të njëjtën kohë ka qenë i angazhuar në një televizion lokal në qytetin e Tetovës.

Edhe pse sa ka qenë i punësuar në dy media të ndryshme, ka pasur probleme me pagesën.

“Kur kam qenë i punësuar në një medium lokal, po ashtu punoja edhe si korrespodent në një televizion nacional. Mediumi lokal si kusht më vendosi që të më marri 50% e pagesës që merrja si korrespodent, për arsye që siç më thanë, isha duke shfrytëzuar kohën për një tjetër media, duke qenë në orar të punës. Mendoj se kjo nuk është e drejtë pasi që unë i kam kryer të gjitha obligimet që i kisha në atë medium dhe në asnjë moment nuk kam lënë edicion informativ pa informacione .” thotë ai.

Dimovski thotë se fatkeqësisht, kjo trajtim ndaj tyre vazhdon edhe sot ndërsa kolegët e tij nuk e hapin gojën shkaku se duan të ruajnë vendet e punës.

“Mendoj se kolegët janë duke qëndruar akoma në vendet e punës pasi që nuk kanë ku të shkojnë. E duan këtë profesion. Po ashtu në Tetovë ka shumë pak mediume për të punuar sidomos për ne që jemi maqedonas, dhe fatkeqësisht duhet t’u përshtatemi kushteve që kemi.” thotë Dimovskipër Portalb.mk.

Gazetari Mursel Murseli, i cili ka punuar në të dyja sistemet këtë profesion, si në komunizëm dhe në demokraci thotë se veprimtaria botuese dhe informative, nga viti në vit ka pësuar transformime të rëndësishme, duke bërë të mundur që lexuesi, shikuesi apo dëgjuesi shumë më lehtë të arrij tek informacionet.

Megjithatë, sipas Murselit, profesioni i gazetarit mbetet ndër profesionet më të vështira për tu ushtruar.

“Me punën e tij të përditshme, gazetari, përveç se duhet të jetë pranë ngjarjeve, ai duhet të jetë edhe hulumtues i dukurive të ndryshme që ndodhin në shoqëri, duke depërtuar në brendinë e tyre, gjithmonë në anën e interesit të përgjithshëm shoqëror. Fatkeqësisht, te ne nuk vlerësohet sa duhet puna e punonjësve të mediave, ata paraqesin shtresën që gjithmonë është në shënjestër të kritikave, por që asnjëherë nuk iu kompensohet mundi dhe angazhimi që bëjnë në procesin e informimit.” shprehet ai.

Media, mediat, gazetare

Para tre dekadash, mediat funksiononin në kushte jo dhe aq të favorshme për ushtrimin e veprimtarisë, por që me kalimin e viteve gjithçka ka ndryshuar edhe në fushën e informimit, deklaron Murseli. Sipas tij, numri i gazetarëve në redaksi të caktuara ishte i kufizuar, puna në terren ishte parësore, ndonëse mungonin linqet informative siç përdoren sot.

“Pjesa dërrmuese e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë në media e kishin të zgjidhur statusin juridik të angazhimit, në bazë të të cilit edhe merrnin pagat. Po kështu ekzistonte një solidaritet i pa parë në mesin e gazetarëve të redaksive të ndryshme. Kjo formë e bashkëpunimit edhe më tepër ia shtonte rëndësinë informimit të qytetarëve. Ndërkaq, sot më duket se është krijuar një konkurrencë e madhe ndërmjet redaksive të informimit. Janë krijuar shumë portale, nuk kontrollohen sa duhet lajmet që publikohen, nuk është krijuar hierarki gazetareske në redaksi të caktuara, shumë gazetarë e kanë statusin e pazgjidhur të punësimit, e kështu me radhë.” thotë Murseli.

Për të krijuar rend në fushën e informimit, Murseli sugjeron krijimin e një organi mbikëqyrës profesional, që do të kontrollojë informacionet që do të jepen në media.

Gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë një pagë shumë më të ulët se mesatarja, sipas një sondazhi të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SSNM) të publikuar më 10 korrik 2020. Sipas anketës, 35% e punonjësve të mediave kanë një pagë prej 15 deri në 20 mijë denarë, që është larg mesatares, dhe 67% janë të pakënaqur me pagën ose honorarin.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave për muajin prill 2020, paga mesatare ishte 25,830 denarë. Sipas kësaj, shumica e gazetarëve kanë të ardhura mujore nën pagën mesatare në vend. Sipas raportit të fundit (2021) të Reporterëve pa Kufij nga 180 vende, Maqedonia renditet e 90 -ta, e cila në vetvete flet për atmosferën në të cilën punojnë punonjësit e mediave./ora24.tv