Grubi: Po ndërtohet autostradë e re Tetovë-Gostivar, Kovaçevski: 30 vjet askush nuk donte të ndërtonte autostradë për në Shqipëri

Të gjitha pengesat janë kapërcyer dhe është konfirmuar përzgjedhja e kompanisë IRD si konsulente dhe mbikëqyrëse e punimeve në Korridorin 8 dhe 10-D, që do të ndërtojë kompania “Bechtel dhe Enka”, transmeton InfoShqip.

Sipas zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, projekti parasheh që autostrada Tetovë-Gostivar të gërmohet plotësisht dhe të ndërtohet autostrada e re me tre shirita.

“Ne nënshkruam një konsorcium, ndoshta më të madhin, për ndërtimin e Bechtel Enka, një kompani amerikano-turke, për ndërtimin e autostradës në korridorin 8. Ajo autostradë nënkupton gërmimin e plotë të rrugës ekzistuese Tetovë-Gostivar, të katër korsitë. do të gërmohet dhe do të ndërtohet autostradë me nga tre korsi në secilën anë, plus një rrugë anësore që do të lidhë fshatrat nga Tetova me Gostivarin”, thotë Artan Grubi.

I pyetur për autostradën me Shqipërinë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se arsyet e vonesës së punimeve janë historike dhe politike, duke shtuar se në 30 vjet askush nuk ka dashur ta ndërtojë.

Kryeministri Kovaçevski foli edhe për autostradën Shkup-Bllacë, duke e cilësuar si rrugën më të komplikuar dhe më të vështirë për t’u ndërtuar. Megjithatë, ka vullnet për të ndërtuar, tha kreu i Qeverisë, i cili shtoi se faza e dytë është duke u projektuar dhe sapo të përfundojë do të shpallet tender për përzgjedhjen e kontraktorit. Ndryshe, për ndërtimin e autostradave nga korridori 8, në buxhetin e vitit 2023 janë paraparë 244 milionë euro./InfoShqip.com