Gjatë periudhës prej 28 dhjetor deri më 3 janar është ulur numri i rasteve të reja dhe pacientëve që kanë vdekur nga Covid-19, ndërsa është ulur edhe përqindja e rasteve pozitive nga numri i të testuarve, thuhet në raportin javor të Institutit për Shëndet Publik. Në atë periudhë janë testuar 10.778 materiale, me ulje prej 17,9% në raport me javën e kaluar, transmeton Portalb.mk
Janë regjistruar 2.329 raste të reja prej 33 qyteteve në vend me ulje prej 30,9% në raport me javën e kaluar. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (1.086; 46,6%). Përqindja e rasteve pozitive nga rastet e testuara përbën 21.6%, që shënon ulje prej 4,1 % në raport me javën e kaluar.
Janë evidentuar 93 raste të vdekjes nga 22 qytete, me ulje prej 27,9% në raport me javën e kaluar. Në raport me moshën, 77 persona kanë qenë mbi 60 vjeç, 11 persona të moshës 50-59 vjeç, 4 persona të moshës 40-49 vjeç dhe një person i grupmoshës 30-39 vjeç.
Sipas ISHP-së, janë regjistruar persona të infektuar prej të gjitha grup moshave. Më së shumti ka të grup moshës mbi 60 vjeç. Numër i madh i të infektuarve janë regjistruar edhe te personat të grup moshës prej 50-59 (440; 18,9%), 40-49 (404; 17,3%), 30-39 (392; 16,8%) dhe 20-29 (263; 11,3%).
Numër më i ulët është regjistruar te fëmijët prej 0-9 (38; 1,6%) dhe 10-19 vejç (104; 4,5%).
Pas 2 testeve negative apo me përdorimin e algoritmit të ri, si të shëruar janë regjistruar 3.884 persona të cilët kanë qenë të hospitalizuar apo në mjekim shtëpiak.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid – 19 që nga fillimi i pandemisë është 84.129, numri i të shëruarve 63.532, 2.550 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa ka 18.047 raste aktive./ora24.tv/