Kastriot Rexhepi, takon Kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Llokë: Problemi me urën e Llokës do zgjidhet!

Shkup – Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkësisë lokale të fshatit Llokë të komunës së Sarajit, Ismet Bajramin.

Në një status, në llogarinë e tij në Facebook, Rexhepi deklaroi se problemin shumëvjeçar me Urën e Llokës, e ka ngritur në disa seanca të zhvilluara në Kuvend.

“Sot prita kryetarin e bashkësisë lokale të fshatit Llokë të komunës së Sarajit, z.Ismet Bajramin të shoqëruar nga Furkan Iseni. Në takim në emër të banorëve të Llokës u falënderova për përmbushjen e premtimit për ngritjen e çështjes të problemit shumë vjeçar lidhur me urën e Llokës në drejtim të komunës Gjorçe Petrov përgjatë seancës parlamentare për pyetje deputetësh. Në takim mu prezantuan edhe informata shtesë lidhur me këtë problem si dhe kërkesat e parashtruara në institucione nga ana e banorëve lidhur me këtë problem”, tha Kastriot Rexhepi.

Tutje, ai theksoi se është duke vazhduar insistimin e zgjidhjes së këtij problemi edhe në pistat qendrore , duke përfshirë këtu  bisedën me kryeministrin Zaev, por edhe në aspekt lokal, duke paralajmëruar edhe takime që pritet të mbahen me kryetarët e komunave të Sarajit dhe Gjorçe Petrovit.

“I falënderoj për vizitën dhe zotohem që do të vazhdoj angazhimin tim lidhur me problemin e urës si deputet, duke vazhduar komunikimin me kryeministrin të cilit ja parashtrova këtë pyetje duke pritur përgjigjen me shkrim. Paralajmërova edhe takim me kryetarin e qytetit të Shkupit, komunës Gjorçe Petrov dhe Sarajit”, shtoi Rexhepi.

Në fund, deputeti i Lëvizjes Besa, potencoi se në vazhdim, do e zhvilloj edhe një takim konsultues me banorët e Llokës.

“Do të jem zëri i qytetarëve për çdo problem që do të kenë dhe krah për krahu do të mundohemi të gjejmë zgjidhje institucionale për to. Në fund u dakorduam që të vazhdojë komunikimi edhe më tutje si dhe mundësia e një takimi me banorët e Llokës në të ardhmen”, përfundoi Kastriot Rexhepi./ora24.tv/