KShZ shpalli rezultatet zyrtare të rrethit të parë, VMRO-DPMNE me më shumë komuna, mbetet pas LSDM

Më 31 tetor qytetarët e 44 komunave do të duhet të dalin të votojnë edhe njëherë për kryetarin e komunës së tyre. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, është optimist që problemet me pajisjen biometrike për identifikim do të tejkalohen më rrethin e dytë, raporton TV21.

“Po presim… Ajo që është për kualitetin nuk mund të garantojmë, sepse kemi edhe procedurë tjetër, zëvendësim për atë në vendvotim ku nuk mund të vërtetohet kualiteti, megjithatë ende nuk jemi dakorduar për planin aksional, se di do ta bëjmë atë të hënën. Trajnimet fillojnë nga e hëna dhe do të jetë shumë më efikas në krahasim me rrethin e parë”.

KSHZ sot i shpalli rezultatet përfundimtare të rrethit të parë të lokaleve. Sipas të dhënave të KSHZ-së, VMRO-DPMNE është partia që ka fituar më shumë komuna në rrethin e parë, gjithsej 21, pastaj renditet LSDM-ja, me 9 komuna të fituara dhe BDI-ja vetëm 2 komuna edhe atë në Likovë dhe Saraj.
Në komunat Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, do të përsëritet votimi sepse nuk është përmbushur cenzusi ligjor, që në zgjedhje të dalin më së paku një e treta nga votuesit e regjistruar në Listën zgjedhore.

“Do ta informojmë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se nuk është plotësuar pragu ligjor i paraparë me kodin zgjedhor në afat prej 15 ditëve dhe ajo më pas duhet ta informojë Kuvendin për të vepruar, gjegjësisht të shpall zgjedhje të reja”, deklaroi Dashtevski.

Aleanca dhe Alternativa në rrethin e parë nuk morën asnjë komunë. Në rreth të dytë garojnë në Gostivar, Strugë, Dibër dhe Çair. Në Tetovë në rreth të dytë shkojnë BDI me Lëvizjen Besa.
Të sëmurët dhe të pafuqishmit që dëshirojnë të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve do të mund të regjistrohen në komisionet komunale zgjedhore deri në mesnatën e sotme (23 tetor). Afati i aplikimit për të votuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve për personat me Kovid-19 dhe të izoluar skadon më 25 tetor.Të sëmurët dhe të pafuqishmit, personat me Kovid-19 dhe të izoluar, si dhe të burgosurit, personat në shtëpitë e të moshuarve votojnë te shtunen më 30 tetor./ora24.tv