MASH: Kemi ndryshuar mënyrën dhe dinamikën e pagesës së bursës të nxënësve dhe studentëve

Shkup – “Në tremujorin e fundit të vitit 2020, bëri ndryshim të tërësishëm në mënyrën dhe dinamikën e pagesës së mjeteve për bursat e nxënësve dhe studentëve.  Tanimë nuk do të ketë vonesë të pagesës, përkatësisht në transferimin e mjeteve në llogaritë e shfrytëzuesve siç ka ndodhur në të kaluarën”, thuhet në kumtesën e MASH-it, informon tv21.

Kjo dinamikë e vendosur e pagesës së rregullt të bursave do të vazhdojë të realizohet edhe më tej, ndërsa kjo është shumë e rëndësishme për ata që i kanë plotësuar kushtet dhe kanë realizuar të drejtën.

Sidoqoftë, bëhet fjalë për mjete që nënkuptojnë mbështetje dhe përparimin e standardit të nxënësve dhe studentëve, e ndihmojnë procesin arsimor dhe paraqesin motivim për të rinjtë gjatë mësimit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot informoi se fituesit e rinj të bursave për vitin shkollor, përkatësisht akademik 2020/2021, si dhe ata shfrytëzues që e kanë vazhduar të drejtën për bursë të fituar në ndonjë nga vitet e kaluara, tashmë i kanë marrë mjetet – tre shuma mujore që u takon për vitin 2020.

Udhëheqja e MASH-it vërteton se përparimi i standardit të nxënësve dhe studentëve do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet edhe në Vitin e ri.

“Buxheti për këtë qëllim është krijuar në pajtim me nevojat reale të të rinjve, të nxënësve dhe studentëve në drejtim të stimulimit të tyre për të arritur rezultate më të mëdha dhe më të mira gjatë arsimit”, thonë nga MASH./ora24.tv/