Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka akuzuar paraardhësin e tij Nikolla Gruevski se është në komunikim të fshehtë me pushtetin, me qëllim të ndarjes së VMRO-DPMNE-së për të shtyrë ndryshimet kushtetuese.
Me titullin “Kërkesa të vazhdueshme të reja për Maqedoninë e Veriut”, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” publikon një shkrim më të gjatë nga një njohës i mirë i rajonit, gazetari Michael Martens, i cili pati një bisedë me liderin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në lidhje me afrimin e vendit ndaj BE-së, ka përshkruar një pjesë të intervistës DW.
“Zgjerimi i BE-së mund të ‘ngecë’ sërish në veto, sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut. Kreu i opozitës në Shkup ankohet se Sofja po minon sistematikisht shtetësinë maqedonase”, shkruan gazeta, duke kujtuar peripecitë e shumta që kanë shoqëruar rrugën e Maqedonisë për integrim evropian.
“Në rastin e Maqedonisë së Veriut, në javët e ardhshme mund të shihet se politika e zgjerimit evropian është ende e mbërthyer në një qorrsokak. Vendi është në prag të një tjetër bllokade në rrugën e tij drejt BE-së, dhe në një kohë të paparashikueshme…
Vendi ka bërë shumë për të filluar negociatat e anëtarësimit, me kërkesë të Greqisë ndryshoi emrin në vitin 2018 nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut. “Tani qeveria në Shkup është e gatshme të përmbushë kërkesën bullgare për hyrjen në kushtetutë të pakicës bullgare, por mungon shumica e nevojshme prej dy të tretash për amendamentet kushtetuese”, shkruan FAC.
Mickoski: Kush na garanton se kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë?
“Dhe me këtë asgjë nuk do të ndryshojë”, citon FAC liderin e opozitës maqedonase dhe, siç thotë gazeta, kryeministrin e mundshëm të ardhshëm, Hristijan Mickoski në intervistën ku vazhdo të theksojë:
“Partia e tij konservatore VMRO DPMNE, e cila prej muajsh ka një avantazh të qartë në të gjitha sondazhet, madje është e gatshme të mbështesë kërkesën bullgare, por me një kusht. Mickoski propozon një “amendament kushtetues të kushtëzuar”, i cili do të miratohej, por do të hynte në fuqi në ditën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian: “Nuk kemi asgjë kundër që bullgarët të përmenden në Preambulën e Kushtetutës sonë. Po kush na garanton se kjo është kërkesa e fundit nga Bullgaria?”, pyet Mickoski, duke reflektuar jo vetëm mungesën themelore të besimit që aktualisht mbizotëron në raport me Bullgarinë, por edhe ndaj BE-së në tërësi”, shkruan FAC.
“Përmes këtij propozimi kompromisi, mund të tejkalohet mosbesimi reciprok, thotë opozita konservatore. Pa një amendament të tillë prolongues të kushtetues, Bullgaria vetëm do të abuzonte me negociatat e anëtarësimit në BE për të vendosur vazhdimisht ultimatume të reja ndaj Maqedonisë së Veriut dhe për ta kërcënuar atë me veto.
Negociatat e anëtarësimit zgjasin shumë vite, bllokadat janë të mundshme në shumë vende dhe Bullgaria nuk e mban të fshehtë se do të ketë kërkesa të tjera.
Fakti është se presidenti bullgar Rumen Radev, si dhe nacionalistët në Sofje, kanë ngritur kërkesa shtesë për një kohë të gjatë: Maqedonia e Veriut duhet “të pranojë” se gjuha maqedonase rrjedh nga bullgarishtja dhe është vetëm dialekti i saj. Shkupi duhet “të pranojë” se maqedonasit janë një degë e popullit bullgar, ose të paktën se janë zhvilluar prej tij. Patjetër duhet “të pranojë” se maqedonasit dhe bullgarët kanë një histori “të përbashkët” ose “të ndarë”.
Gjithashtu nuk duhet të pohohet se pushtimi bullgar në Luftën e Dytë Botërore ishte një pushtim – kështu thonë disa nga këto pritje. Edhe mbishkrimet në muzeun e monumente po ndryshojnë. “Sofja dëshiron të prezantojë një tregim të detyrueshëm shtetëror në vendin fqinj ose të përshkruajë një gamë të gjerë interpretimesh të lejuara, madje edhe të ndikojë në shkrimin e teksteve shkollore maqedonase”, shkruan gazeta FAC.
“Kërkesat bullgare janë shumë më ekstreme se ato greke”
“Të tilla gjëra nuk kërkohen vetëm nga bullgarët radikalë të djathtë. Ideja për vendosjen e rregulloreve identitare-politike në Maqedoninë e Veriut arrin edhe në mes të shoqërisë bullgare. Në fund të fundit, thekson kreu i opozitës Mickoski, kërkesat bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut janë më ekstreme se ato greke. “Politika bullgare shkon aq larg sa maqedonasit duhet të mohojnë identitetin e tyre,” raporton FAC fjalët e Mickoski.
“Në fakt, kërkesat e reja specifike të mëposhtme tashmë janë duke u përgatitur në Bullgari. Në Sofje pretendohet se në Maqedoninë e Veriut në realitet nuk ka vetëm 3 500 bullgarë sipas regjistrimit, por 80 000 bullgarë. Përkatësisht, shumë qytetarë të Maqedonisë kanë kërkuar pasaportë bullgare në vitet e kaluara. Fakti që shumica e aplikantëve për pasaportë e bënë këtë kryesisht sepse me pasaportën e Bullgarisë anëtare të BE-së, ata mund të jetojnë ose punojnë në të gjitha vendet anëtare, nuk njihet në Sofje.
Pasaporta shihet si një deklaratë e identitetit bullgar. Maqedonasit që kanë pasaporta bullgare sigurojnë se ende konsiderohen maqedonas dhe se vendimi i tyre për dyshtetësi ka arsye praktike, por në Sofje pretendohet e kundërta.
Mickoski thotë se kjo është pjesë e strategjisë për cenimin sistematik të shtetësisë maqedonase. Më tej, beson ai, do të jetë kërkesa e Bullgarisë përmes lëshimit të pasaportave që pakica e ndërtuar bullgare në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë prokurorët e saj publikë, gjyqtarët, shkollat, si dhe kuotat e përcaktuara etnike në Parlament, polici, ushtri dhe administrata shtetërore në përputhje me peshën në popullsinë e përgjithshme. Përndryshe, ai do të kërcënojë sërish me veto bullgare kundër negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.
“Politikanët bullgarë mohojnë identitetin tonë. Thonë se jemi ‘krijuar’ vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, e më parë kemi qenë bullgarë”, sublimon Mickoski në gazetën FAC kritikat e tij ndaj politikës bullgare, ku më tej thuhet:
“Megjithatë, konservatorët maqedonas nuk janë të vetmit që refuzojnë ta lejojnë veten të ripërcaktohen si bullgarë vetëm për shkak të dëshirës për BE.
Edhe anëtarët e koalicionit socialdemokrat në pushtet nuk duan të jenë bullgarë. Shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përbëjnë rreth 24 për qind të popullsisë, sigurisht që nuk e duan këtë. Por ata as nuk duan të pengohen në integrimin e tyre perëndimor, që nuk i intereson, as për një grindje identiteti-politike”.
Mickoski fajëson edhe qeverinë në Shkup. Partia e tij i ofroi mbështetjen e saj në negociatat me Bullgarinë koalicionit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por ajo u refuzua. Më pas ai paralajmëroi që të mos pranohet propozimi francez: “Ne kemi thënë qartë se nuk do të ketë një shumicë prej dy të tretash për të. Ne thamë: mos bëni angazhime që nuk mund t’i përmbushni.’ Por ndodhi e kundërta. “Tani ka një marrëveshje në krijimin e së cilës ne si forca politike më e fortë në vend, padyshim, nuk marrim pjesë – dhe duan të na bindin se duhet të biem dakord, sepse ndryshe jemi kundër BE-së”, thotë Mickoski. Ai thekson se vendi i tij aspiron të anëtarësohet në BE dhe i përmbahet sanksioneve kundër Rusisë: “Isha politikani i parë në këtë vend që i tha ambasadorit rus se e dënoj sulmin rus ndaj Ukrainës, se në shekullin e 21-të në Evropë nuk mund të vihet në dyshim integriteti territorial i një shteti sovran. Agresioni rus kundër Ukrainës është në kundërshtim me të gjitha këto.
Maqedonasit shumë mirë mund ta simpatizojnë pozitën e ukrainasve, thotë Mickoski: “Rusët mohojnë identitetin dhe gjuhën ukrainase, si bullgarët tanë”.
Gruevski është në komunikim të fshehtë me qeverinë, pohoi Mickoski
Për të bërë ndryshime kushtetuese, qeveria po përgatit marrëveshje të pista, thotë Mickoski. Ajo planifikon t’i premtojë mosndëshkim penal ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili iku në Hungari, në mënyrë që ai të kthehet dhe të ndihmojë me ndihmën e mbështetësve të tij, që amendamentet kushtetuese të kalojnë në Parlament.
Gruevski, paraardhësi ultra-konservator i Mickoskit në krye të partisë VMRO, i cili e simpatizonte Trampin, është akuzuar dhe përballet me akuza të shumta penale për shpërdorim detyre, por i shpëtoi drejtësisë në vitin 2018 dhe u strehua te aleati i tij Viktor Orbán, i cili i dha atij azil politik.
Kohët e fundit, qeveria e Maqedonisë në Kuvendi i zvogëloi dënimet dhe afatet për vjetërsimin e veprave penale për Gruevskin dhe për autorë të tjerë.
“Gruevski është në komunikim të fshehtë me qeverinë”, pohon Mickoski. “Qeveria beson se mund të përçajë partinë tonë”. Por kjo nuk do të funksionojë, është i bindur kreu i opozitës. “Ne bëmë gjithçka për perspektivën tonë evropiane. Por vazhdimisht na bëhen kërkesa të reja’. Ky është fundi tani, nëse nuk pranohet propozimi i tij për zbatim të shtyrë të amendamenteve kushtetuese, atëherë nuk do të ketë ndryshime në Kushtetutë”, shprehet i vendosur Mickoski në një intervistë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”./Ora24.tv