Sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqiria Ibrahimi, ka ndarë me publikun informacionin sipas të cilit ambasada amerikane në Shkup i ka refuzuar vizën njërit prej ministrave të BDI-së, shkruan portali Lideri.mk.
Ai ka ftuar publikisht zv.kryeministrin Artan Grubi për të treguar se për cilin ministër bëhet fjalën.
“Për sa i përket çështjeve publike, opinioni ende nuk ka marrë përgjigje se cilit prej ministrave të BDI-së i është refuzuar viza amerikane dhe pse?
Mos ndoshta do të përgjigjet Artan Grubi?”, pyeti Ibrahimi për herë të dytë përmes Facebookut.
Lidhur me këtë informacion, portali Lideri.mk ka kërkuar përgjigje nga ambasada amerikane në Shkup, nga ku janë përgjigjur se për shkak të privatësisë së aplikacionit, sektori konsullor në ambasadë nuk ndan asnjë informacion me kërkesat e qytetarëve për viza, qoftë për zyrtarët apo qytetarët e rëndomtë.
Mediat tashmë po spekulojnë se arsyeja pse ministrit aktual nuk i është dhënë viza për në SHBA, është afërsia dhe bashkëpunimi i tij me kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili së fundmi është futur në listën e zezë të SHBA-ve.