Shkup – Në krye të këtij institucioni është emëruar Zait Aliu, sfida e të cilit mbetet e njëjtë ashtu si edhe për paraardhësit e tij – plotësimi i kuadrit profesional, avancimi dhe pasurimi i fondit muzeal… Hapja zyrtare pritet të bëhet së shpejti, pas përfundimit të punimeve rikonstruktuese të financuara nga grantet e IPA-s, të cilat janë edhe investimi më serioz për godinën – simbol të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, njofton Koha.mk
Muzeu i Alfabetit këtë vit hap një kapitull të ri, me ambiente të rikonstruktuara dhe drejtor të sapoemëruar. Në krye të këtij institucioni që prej disa vitesh është drejtuar nga kustosi – historiani Nuer Asllani, është emëruar Zait Aliu, sfida e të cilit mbetet e njëjtë ashtu si edhe për paraardhësit e tij. Plotësimi i kuadrit profesional për të siguruar ecurinë normale të punës në institucionin që aspiron të jetë në nivelin e të gjitha institucioneve të tjera nacionale në vend, zgjidhja e kontestit pronësor të ambienteve të katit të parë, avancimi dhe pasurimi i fondit muzeal…
“Mund të thuhet se gjithçka ka përfunduar dhe muzeu shumë shpejt do të jetë në dispozicion të vizitorëve dhe për të filluar me realizimin e programit vjetor dhe aktiviteteve. Sfidë mbetet rritja e numrit të të punësuarve, kemi nevojë për profile si albanologë, historianë, juristë…, por edhe promovimi i tij edhe zgjerimi i bashkëpunimit me institucionet e tjera. Nga aktivitetet më kryesore mbetet shënimi i ditës së alfabetit 14-22 nëntori, por edhe vijimi i aktiviteteve edukative që i zhvillojmë me nxënësit e shkollave”, thotë drejtori Aliu. Sai takon ambienteve, përveç dhomës përkujtimore gjendet edhe ekspozita e përhershme që përbëhet prej 51 fotografi me personalitet që kanë kontribuar për zhvillimin e alfabetit shqip gjatë shekujve, delegatët e Kongresit, dokumente e të tjera.
Pas vendosjes në kalendarin zyrtar të festave të datës 22 nëntor, u themelua Muzeu i Alfabetit që si institucion nacional në vitin 2007, me qëllim mbrojtjen, hulumtimin, mbledhjen, rregullimin dhe përpunimin profesional e shkencor si dhe studimin e objekteve muzeore, që janë të rëndësishme për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Nga viti 2019 22 nëntori është pjesë e çmimeve shtetërore./ora24.tv/