Në Ohër, Manastir dhe Kërçovë buka shitet mbi 33 denarë. Gjoba të larta për keqpërdoruesit

Nga 250 kontrolle të kryera, Inspektorati shtetëror i tregut konstatoi se katër subjekte nuk i kanë respektuar vendimet e miratuara të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore. Siç kumtoi sot drejtori i ISHT-së, Goran Trajkovski, bëhet fjalë për një subjekt ekonomik në Ohër që bukën e ka shitur me çmim më të lartë se çmimi i ngrirë në 33 denarë, dhe tre subjekte të tjera në Ohër, Manastir dhe Kërçovë që nuk e kanë respektuar vendimin për uljen e çmimeve të makaronave dhe bulmeteve.

“Pasi hyri në fuqi vendimi i fundit, përkatësisht në dy ditët e fundit, kemi bërë mbi 250 kontrolle në të gjithë territorin e shtetit. Nga kontrollet u konstatua se vendimet po respektohen, përveç në katër subjekte ekonomike për të cilat u shqiptuan urdhërpagesa me vlerë prej mbi 1.120.000 denarëve.”– deklaroi Goran Trajkosvki, drejtor i ISHP.

Ai siguroi se Inspektorati punon me kapacitet të plotë duke bërë mbikëqyrje në të gjithë territorin e shtetit. Nga ana tjetër, Darko Kaevski nga LSDM-ja u lavdërua se ata si qeveri në kushte të krizës po kujdesen për qytetarët.