Pengu i artistes Hueyda El Saied

Hueyda El Saied, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në një spital në Luksenburg, si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Në intervistën e saj të fundit për Rudina Magjistarin në Tv Klan, artistja Hueyda El Saied do të fliste edhe për një ndër pengjet e pakta që kishte në jetë.

Në një lidhje nga Luksemburgu në Maj të vitit të shkuar ajo shpjegonte se gjyshi i kishte ndërruar jetë gjatë kohës që ishte në Itali, ndërsa peng i kishte mbetur një xhiro në bulevard me të.

‘Unë faktikisht u largova nga Shqipëria me kokën mbrapa. Ngaqë nuk e dinim dhe nuk e dimë ende se si do të përfundojë kjo puna e Covid-19. Gjyshja ime është 84-vjeçe dhe unë kam pasur një histori të trishtë dhe mund të them nga ato pengjet e pakta që kam në jetë.

Pengu është se kur gjyshi im u sëmur unë ndodhesha në Itali në atë kohë. D.m.th. jetoja në Shqipëri, por isha në një spektakël në Itali dhe e kam pasur ëndërr…

Ne (si popull) kemi pas dalë çdo të shtunë, laheshim visheshim bukur dhe bënim xhiron e bulevardit dhe unë atë xhiron e bulevardit nuk e kam bërë kurrë, gjatë kohës së komunizmit, sepse të gjithë dilnin në familje dhe unë ngaqë nuk e kisha tim atë, nuk mund ta bëja këtë xhiron me familjen e kompletuar.

Kështu që kur shkova në Itali në atë kohë, i bleva një kostum gjyshit, sepse doja që unë ta bëja këtë xhiro me gjyshin dhe me mamin, nënën e tezen.

Por kur u ktheva gjyshi kishte vdekur, kështu që nuk munda ta bëj kurrë këtë xhiro. Kështu që kur u largova nga Shqipëria më 12 Mars, e kam mbajtur kokën mbrapa, sepse nuk doja që të më ndodhte e njëjta gjë. Por për fatin tim të mirë, gjyshja është shumë mirë me shëndet, megjithëse mosha bën të veten. Kështu që mezi pres që të hapen kufijtë, të marr avionin dhe të vij e ta shoh bashkë me Gabrielin…’, shprehej artistja asokohe../ora24.tv