Përsëritja e përballjes Trump-Biden mund të jetë e pashmangshme

Fundi i fundjavës së Ditës së Punës shënon praktikisht fillimin e një gare të ashpër në Ajova, pasi kandidatët shtyhen për t’u nominuar për president të Shteteve të Bashkuara nga partia e tyre përkatëse.

Por, meqë vëmendja po rritet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale 2024, furia e zakonshme duket e pashmangshme.

Në mesin e republikanëve, Donald Trump po mbizotëron në garën primare, duke i lënë mbrapa rivalët me rezyme si guvernatorë, diplomatë dhe sipërmarrës, të cilët në kushte normale do të ishin konkurrentë të fortë. Fuqia e ish-presidentit vjen mbase – apo ndoshta për shkak – të aktakuzave të shumta penale të cilat kërcënojnë ta lënë nën hije çfarëdo debati serioz për të ardhmen e vendit.

Dhe tani për tani, miliona dollarët që rivalët republikanë janë duke i derdhur në garë, po bëjnë shumë pak për ta dëmtuar Trumpin, duke nxitur shqetësime në mesin e kritikëve të tij në Partinë Republikane, të cilët druhen se gara primare ka përfunduar para se të fillojë.

Derisa një prirës i garës në telashe po shkon drejt nominimit nga radhët e republikanëve, presidenti Joe Biden është në rrugë të mirë drejt fitores nga radhët e demokratëve. Biden, 80 vjeç, po përballet me opozitë simbolike për të nominuarin e demokratëve, me gjithë shqetësimet për paraqitjet dhe moshën e tij nga shumë zyrtarë brenda partisë së tij. U pëlqeu apo jo votuesve, rimeçi Trump-Biden mund të jetë i pashmangshëm, i cili do të ofronte një sezon zgjedhor tejet të pasigurt, i cili vetëm i thellon ndarjet politike të vendit.

Trump ka vendosur tashmë të mos marrë pjesë në debatet presidenciale të partisë, dhe paraqitjet e tij para gjykatës po marrin nganjëherë më shumë vëmendje se tubimet e tij elektorale. Dhe Biden e ka nisur tashmë fushatën, teksa përballet me më shumë pyetje rreth moshës dhe për sfidat ligjore të të birit.

“Unë thjesht nuk mund ta paramendoj ndryshimin e gjërave kaq dukshëm. Pra, duket se e kaluara është prolog”, tha guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili është demokrat, duke i lartësuar arritjet e Bidenit, derisa e paralajmëroi partinë e vet të mos e nënvlerësojnë fuqinë politike të Trumpit.

Newsom tha se shqetësimet për moshën e Bidenit “janë kritika me vend dhe Shtëpia e Bardhë e di këtë”.

“Por nëse mosha është e barabartë me rezultatet, atëherë unë mezi e pres ditëlindjen e tij të 85-të”, shtoi ai.

Te republikanët, ka druajtje në mesin e donatorëve dhe liderëve të partisë, të cilët shpresonin se votuesit konservatorë do ta shmangnin Trumpin duke e parë sulmin e 6 janarit në Kapitol të cilin e nxiti ai dhe sfidat serioze ligjore me të cilat përballet.