Privilegjeve të funksionarëve ju erdhi fundi! Nuk ka më shfrytëzim të automjeteve dhe kartelave zyrtare

Shkup – Do t’i vendoset fundi keqpërdorimit të funksionarëve që udhëtonin me vetura zyrtare për qëllime private, por do të hetohet edhe shpenzimi i parave nga kartelat zyrtare dhe prona me të cilën disponojnë funksionarët, paralajmëroi Lupço Nikollovski, Zv.kryeministër për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, njofton tv21.tv

“Në procedurë qeveritare tashmë kanë hyrë disa dispozita me të cilat e vazhdojmë kufizimin, përkatësisht sistematizimin, uljen dhe vendosjen në rend dhe disiplinë të shfrytëzimit të kartelave zyrtare, veturave zyrtare dhe pronës tjetër, përkatësisht mjeteve me të cilat disponojnë funksionarët”, deklaroi Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit.

Nga VMRO-DPMNE me reagim. Akuzojnë se Nikollovski çdo dit e keqpërdor pozitën e tij.

“Lupço Nikollovski, i cili duhej të luftojë korrupsionin, është i përfshirë në disa afera për të cilat assesi të dalë dhe publikisht të përgjigjet. Lupço Nikollovski nuk u përgjigj si kushëriri i tij u punësua në kohë të krizës në Navigacionin e Maqedonisë. Për Nikollovskin dhe punësimin e kushërinjve të tije u dëshmua edhe në kohë kur ai ishte ministër i bujqësisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nikollovski paralajmëroi se sivjet do të vendoset sistem i ri për inspektim, “E-inspektor”. Ai tha se sistemi është një prej veglave në luftën kundër korrupsionit që është mekanizëm efikas përmes të cilit do të ulet çdo ndikim subjektiv i inspektorëve gjatë kontrolleve të tyre. E-Inspektor në mënyrë elektronike do t’i lidhë të gjitha 28 shërbime inspektuese nën ombrellën e Këshillit inspektues./ora24.tv/