Pustina: Sa më shumë të ketë aktivitete kulturore me art të mirëfilltë, aq më shumë do të ketë publik të ri

Arti nuk zen vendin e duhur në shoqëri, pavarësisht sa shpesh flitet për këtë fenomen. Pandemia në mënyrë plotësuese vështirësoi kontaktin e artistëve me publikun, gjë që është esenciale për “mbijetesën” e tyre. Kurse mbështetja institucionale nuk mungon por është e mangët. Megjithatë, ka njerëz që vazhdimisht punojnë pa u lodhur që adhuruesit e artit të mbushin zemrat dhe shpirtin me art të mirëfilltë, me vlera dhe krijime të bukura. I tillë është Jeton Pustina, aktiviteti i të cilit njihet në Tetovë dhe jo vetëm. Përkushtimi sjellë rezultate, edhe pse vlerësimi mund të jetë i vonuar.

Intervistoi: Lindita Aliu 

  • Pustina, në çfarë niveli është arti, dashuria për të dhe kultivimi i vlerave artistike në qytetin e Tetovës, është në zhvillim apo shënon rënie dhe mosvlerësim?

Mendoj se, me aktivitetet e organizuara vitet e fundit, Tetova me plotkuptimin e fjalës mund të quhet si qytet i kulturës. Këtë e them me përgjegjësi të plotë duke aluduar në dy festivalet që i organizon Komuna e Tetovës “Vera e Kulturës Tetovare”, ” Tetova Feston Nëntorin”, mandej festivalin e teatrove, festivale për fëmijë, festivalin e filmit, atë të muzikës serioze, ekspozita të ndryshme, promovime librash, e deri te paraqitjet e shumë institucioneve prestigjioze kulturore nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria me shfaqe operistike, koncerte simfonike, ansamble popullore, evente me yjet si Inva Mula, Shkëlzen Doli etj. Kultura është në zhvillim permanent dhe këtu kontribuojnë shumë faktorë siç janë institucionet kulturore në qytetin tonë, qytetarë dhe vet komuniteti artistik. Sigurisht që nuk duhet të jemi të kënaqur me kaq por të vazhdojmë të kontribuojmë por edhe të kërkojmë nga institucionet relevante që ky trend të vazhdojë por të zhvillohet edhe më shumë.

  • A shihni një dallim mes grupmoshave që janë adhurues të aktiviteteve artistike? Sa rinia e vlerëson artin cilësor?

Sa më shumë të ketë aktivitete kulturore me art të mirëfilltë aq më shumë do të ketë publik të ri i cili vazhdimisht edukohet dhe mësohet që ta vlerësojë vlerën e vërtetë artistike. Te ne ky publik i ri është në numër të konsiderueshëm i cili vazhdimisht ritet dhe bëhet pjesë e pandashme e jetës kulturore në qytetin tonë.

  • A janë të rinjtë të interesuar të bëhen artistë?

Nuk është numri shumë i madh i të rinjve që janë të orientuar për ta pasur profesion ndonjë drejtim artistik. Ata që janë orientuar vazhdojnë të japin kontribut në zhvillimin e jetës kulturore në Tetovë, mirëpo të rinjtë në përgjithësi janë publik i kënaqshëm dhe shumë me nivel në të gjitha ngjarjet kulturore.

  • Flasim vazhdimisht për mbështetjen dhe interesimin e njerëzve për artin. Por është edhe një palë tjetër në këtë trekëndësh; institucionet. A ka përkrahje të mjaftueshme institucionale për zhvillimin e artit dhe për të përkrahur krijimet e mira artistike? Si është situata konkretisht në Tetovë?

Përkrahja nga institucionet relevante nuk është shumë e kënaqshme dhe len për të dëshiruar edhe pse ndihma nuk ka munguar. E them këtë ngase nevojat për të rinjtë dhe potenciali i tyre është shumë i madh. Te ne mungojnë dy institucione shumë të rëndësishme që janë të nevojshme për Tetovën siç janë Teatri për fëmijë dhe të rinj dhe orkestra profesioniste. Me këto dy institucione mendoj se mbaron mozaiku kulturor i qytetit të Tetovës dhe vetëm institucionalizimi i kulturës zgjidh shumë probleme në çdo aspekt.

  • Sa e ka dëmtuar artin pandemia?

Pandemia mund të them se la gjurmë jo të mira në çdo segment të jetës veçanërisht edhe në kulturë duke e ndalur hovin dhe trendin e krijuar viteve të fundit me organizimet kulturore në qytet të cilët i jepnin frymë dhe gjallëri Tetovës por mbi të gjitha ishin edhe ushqim shpirtëror për artdashësit. Kjo vërehet shumë ditët e sotme por shpresojmë që t’i kthehemi normalitetit të plotë duke iu gëzuar organizimeve kulturore në qytet të cilat para pandemisë ishin me bollëk.

  • Si po funksionojnë shoqëritë kulturore sot dhe a mundet të mbijetojnë?

Shoqëritë kulturore-artistike funksionojnë mbi baza vullnetare, ata nuk e marrin ndihmën e mjaftueshme nga institucionet kompetente. Më mirë thënë, marrin fonde sa për të mbijetuar. Për këtë arsye vetëm një numër i vogël i tyre në ditët e sotme funksionojnë dhe mundohen të jenë një derë e hapur për talentet e reja të cilët janë të shumtë në qytetin tonë.

***

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.