Kosovë – Situata në Komunën e Fushës Kosovës nga reshjet e shiut dhe borës është qetësuar, mirëpo pasojat dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha, njofton Telegrafi Kosovë
Ekipi i Telegrafit sot i ka vizituar disa zona ku ka pasur vërshime nga reshjet e shiut në këtë komunë, si dhe ka biseduar me disa nga banorët të cilët në kushte anonimiteti kërkuan që dëmet e shkaktuara të ju kompensohen nga Komuna e Fushë Kosovës.
Në lidhje me këtë zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli në një intervistë dhënë për Telegrafin ka thënë se në kuadër të Shtabit Emergjent i kanë edhe pesë Komisione Vlerësuese të cilat kanë dal në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka premtuar Komunës së Fushë Kosovës se do t’i ndihmoj që të ua kompensojnë dëmet e shkaktuara qytetarëve të kësaj komune.
“E kemi një sinjal të mirë nga Qeveria e Kosovës, të cilët na kanë premtuar së paku ndihmë që do të jenë pranë nesh dhe mundësitë buxhetore sigurisht që janë të limituara që urgjentisht të intervenohet, pasi ende buxheti është i mbyllur. Vlerësimi do të bëhet si dhe kompensimet do të bëhen”, ka thënë zëdhënësi i Fushë Kosovës./ora24.tv/