Shkup, 23 nëntor – Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së janë organizatorë të Forumit të Katërt Ministror për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që do të mbahet në Shkup, më 25 dhe 26 nëntor informon Tetova sot.
Hapja zyrtare e Forumit Ministror është caktuar më 25 nëntor (e hënë) në orën 10:00 në hotelin “Meriot”, ku do të mbajë fjalim ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, ndërsa në panelin kryesor janë paraparë fjalime tematike të shefave të delegacioneve të pranishëm në Forum.
Në Forum do të marrin pjesë ministrat e Kulturës dhe funksionarët e lartë të vendeve anëtare në Procesin “17 + 1”, duke e përfshirë edhe ministrin e Kulturës dhe Turizmit të RP të Kinës, Luo Shugang, i cili vjen në Shkup me një delegacion prej disa anëtarëve. Në Forum do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim edhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në Forumin Ministror do të miratohet edhe Deklarata për bashkëpunimin e ardhshëm kulturor të vendeve pjesëmarrëse në Procesin “17 + 1”, i cili përmban një Plan për bashkëpunim kulturor për dy vitet e ardhshme (2020 – 2021), me të cilin do të bëhet një hap i madh drejt trasimit të bashkëpunimit edhe më dinamik. Plani i bashkëpunimit i përfshin aktivitetet në fushat e industrive kulturore dhe krijuese, trashëgiminë kulturore, filmin dhe shpërndarjen e filmave, unionet e bibliotekave, si dhe përpilimin e orkestrës simfonike të 18 vendeve anëtare në Procesin “17 + 1”.
Në fushën e kulturës, deri më tani janë mbajtur tri forume mbi bashkëpunimin kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së në nivelin ministror (në RP të Kinës, Sofje, Bullgari dhe i treti përsëri në RP të Kinës). Në Forumin e Tretë Ministror ishte miratuar dhe nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrive të Kulturës së vendeve të EQL-së dhe RP të Kinës për vendosjen e Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor me seli në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me mbajtjen e Forumit të Katërt Ministror, Republika e Maqedonisë së Veriut jep një kontribut të rëndësishëm në përforcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në nivel bilateral dhe multilateral.