Shtetet e QUINT-it me kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës

Tashmë përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it kanë arritur në objektin e Qeverisë së Kosovës. Aty do të priten në një takim urgjent nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjifca.

Takimi po mbahet në zyrat e Kuvendit të Kosovës.

Shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Përmes një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se ju vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të mbledh fletëvotimet e serbëve të Kosovës, sipas praktikave të kaluara./Syri.net

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, këto shtete kanë thënë se “mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit të sundimit te ligjit”.

“Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët  e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume”, thuhet tutje në komunikatë.

E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka folur për Telegrafin pasi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se qytetarëve serbë në Kosovë duhet tu lejohet votimi në këtë referendum.

Kryeziu ka thënë se ata tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin në lidhje me këtë çështje.

Zëdhënësi i Qeverisë u shpreh se duke respektuar praktikat më të mira ndërkombëtare, po u mundësohet votimit qytetarëve serbë në Kosovë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

“Ne tashmë e kemi bërë të njohur dhe të qartë qëndrimin tonë. Serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë”, tha Kryeziu.