Shtrenjtohen derivatet

Shkup, 20 janar – Benzinat prej sonte në mesnatë shtrenjtohen për dy denarë për litër, ndërsa çmimi i dizelit rritet për 2,5 denarë, vendosi sot Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit (KRRE). Me këtë vendim bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 2,9 për qind.

Çmimi i ri i shitjes me pakicë i EUROSUPER BS-95 do të jetë 82,5 denarë për litër, EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 85, EURODIZEL BS (D-E V) për 83,5 ndërsa Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) për 83 denarë për litër.

Me vendim të KRRE-së për 1,355 denarë për kilogram rritet edhe çmimi i shitjes me pakicë i Mazutit M-1 NS dhe do të jetë 40,814 denarë.

Nga KRRE theksojnë se çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me përllogaritjen paraprake shënojnë rritje tek benzinat mesatarisht për 7,084 për qind, tek dizeli për 4,546, tek vaji ekstra i lehtë për 4,351 dhe tek mazuti për 5,491 për qind. Kursi i denarit në raport me dollarin sipas të cilit ishin formuar çmimet me përllogaritjen paraprake, ndërkaq është më i ulët për 0,77 për qind.