Grevat kanë vazhduar në Francë kundër vendimit të presidentit Emmanuel Macron që të miratojë ligjin e reformave pensionale pa votë në parlament. Me këtë ligj, Franca ngrit moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjet. Punëtorët e pastrimit kanë bllokuar qendrën e tubimit të mbeturinave ndërkaq studentët kanë braktisur ligjëratat në Paris.
Sindikatat e punëtorëve kanë paralajmëruar ashpërsimin e grevave me shpresën se do të detyrojnë qeverinë të tërheqë reformën pensionale. Partitë opozitare të premten pritet të nisin procedurat për votë mosbesimi ndaj qeverisë franceze. Votimi me shumë gjasë do të mbahet në fillim të javës së ardhshme.
Macroni ka urdhëruar qeverinë që të përdor fuqinë e veçantë kushtetuese që ligjin ta miratojë pa votim në Asamblenë Kombëtare. Ai ka llogaritur rrezikun nga ligjvënësit, qytetarët dhe sindikatat e punëtorëve.
Macroni mori këtë vendim pas takimit me kabinetin qeveritar pak minuta para se Asambleja Kombëtare të votonte këtë ligj, mirëpo presidenti nuk ishte i sigurt se kishte përkrahjen e shumicës për miratimin e këtij ligji.