Shkup – Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, e ka quajtur pamflet politik, propozim ligjin për nënshtetësinë të inicuar nga koalicioni Aleanca-Alternativa. Ky propozim sipas Spasovskit, nuk ofron zgjidhje të përhershme të problemit, ndërsa shton se ligji për shtetësi është kompetencë e MPB-së dhe nuk mund të pritet që dikush nga jashtë të propozojë zgjidhje dhe MPB të mos prononcohet, transmeton SHENJA
Oliver Spasovski
“Na duhet një zgjidhje e përhershme, mbrojtja e interesave shtetërore dhe kombëtare dhe mbrojtja e qytetarëve që janë këtu dhe duhet ta marrin atë shtetësi, dhe që për arsye objektive nuk mund ta merrnim deri më tani”
Spasovski ka kujtuar se ministria që ai drejton tanimë ka filluar një proces për rishikimin e ndryshimeve të mundshme të cilat nevojitet ti pësojë ligji për shtetësi me qëllim që tu mundësohet marja e shtetësisë qytetarëve të cilët për arsye objektive deri më tani nuk e kanë gëzuar këtë të drejtë. Gjatë përpilimit të ligjit, ai thotë se duhet të mbrohen edhe interesat kombëtare dhe shtetërore, krahas atyre të qytetarëve për të fituar të drejtat që ju takojnë.
Oliver Spasovski
“Udhëheqësia e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka një proces të hapur, po diskutojmë se ku duhet të bëhen ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë, në mënyrë që t’u mundësojë atyre personave që për arsye serioze objektive nuk mund të merrnin ose humbën disa afate në të kaluarën, të jenë në gjendje që ta bëjnë atë, por në të njëjtën kohë për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore”
Kjo përgjigje vjen pas akuzave të koalicionit Aleanca-Alternativa se ministri Spasovski nuk duhet të ndërhyjë në ligjin për shtetësi të cilin e shqyrton Kuvendi. Ndërkaq, kreu i policisë së vendit, kishte kundërshtuar propozimin e opozitës shqiptare duke kontestuar pjesë të caktuara të tekstit, në vlerësimin që MPB i ka bërë propozimit i cili tanimë ka kaluar fazën e parë në Kuvend./ora24.tv/