Takimi Hoxha- Atanasov: RMV dhe Argjentina kanë potencial për bashkëpunim shumë më të madh se deri tani

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha sot zhvilloi takimin e parë me ambasadorin e Republikës së Argjentinës, Alfredo Atanasov, raporton koha.mk.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin aktual dhe mundësitë për përmirësimin e të njëjtit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.

Përfundimi i përbashkët, siç thuhet në kumtesë ka qenë se vendet tona kanë potencial për bashkëpunim shumë më të madh se sa kishim deri më tani.

“Për këtë qëllim, u ra dakord që sa më parë të nënshkruhen memorandume bashkëpunimi dypalësh në fushën e tregtisë, veçanërisht për produktet bujqësore dhe ushqimore. Eksporti aktual i produkteve tona në këtë vend mik nuk përmbush potencialin maksimal dhe ka kapacitet për rritje të lartë, veçanërisht në fushën e produkteve organike. Në periudhën e ardhshme, ne do të rrisim shkëmbimin tregtar me produkte që nuk i kemi eksportuar deri më tani në tregun argjentinas, ku edhe ka interesim të madh”, thuhet në kumtesë.

Ministri, Hoxha dhe ambasadori, Atansov u dakorduan se tregu ynë është një potencial i mirë edhe për produktet argjentinase, veçanërisht në fushën e makinerive bujqësore dhe produkteve të peshkut dhe mishit.

“Me një iniciativë të përbashkët për thellim të bashkëpunimin, do të krijohen grupe pune nga të dyja palët për të analizuar detajisht dhe saktësisht se në cilat produkte bujqësore dhe ushqimore do të jetë fokusi për të rritur tregtinë, pasi të dy vendet kanë prodhime të orientuara drejt eksportit, kurse tregjet janë kompaktibile. Qëllimi është rritja e eksporteve dhe importeve dhe të punojmë në interes të të dy vendeve. Ky është motivi ynë të intensifikojmë bashkëpunimin me këtë vend mik, i cili do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit”, theksohet në kumtesë./ora24.tv