Një ndër nenet e ligjit për shtetësinë të propozuar nga koalicioni Aleanca-Alternativa, kërkon që qytetari për shtetësi të njohë ose maqedonishten ose shqipen që të mund të marrë shtetësi me natyralizim. Kjo parashihet në pikën 3 të ligjit, ku kërkohet që ndryshimi të vijon:
“Ta zotërojë gjuhën maqedonase ose gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e që është e ndryshme nga gjuha maqedonase (gjuhën shqipe) deri në shkallë që të mundet lehtësisht të merret vesh me rrethin”.
Kjo nënkupton se qytetarët jo domosdoshmërish duhet ta njohin maqedonishten për ta marrë shtetësinë. Po a është kjo një prej pikave që ka hasur në kundërshtim të pushtetit.
Deputetja e koalicionit Aleanca-Alternativa, Ilire Dauti, nuk konfirmon mosmarrëveshje për këtë pikë konkretisht, por gjithsesi pohon se ka ende gjëra për të cilat nevojitet dakordësim.
“Një prej atyre pikave është edhe neni që ka të bëjë edhe me rregullimin e çështjes së gjuhës por do ta cilësoja një nga pikat që është një përpjekje e jona për të lehtësuar marrjen e shtetësisë”, pohoi Ilire Dauti, nga koalicioni ASH-AAA.
- TV21- Do me thënë të njihet vetëm shqipja si një prej gjuhëve zyrtare të shtetit dhe jo domosdoshmërish maqedonishtja?
-Ato qëndrojnë si variante. Në fakt kjo është një përshtatje me ligjin për përdorim të gjuhëve dhe mund ta gjeni edhe propozim ligjin dhe ta shihni konkretisht”, shtoi Ilire Dauti, nga koalicioni ASH-AAA.
TV21- Ka pasur kundërshtime ky variant i juaji për këtë nen?
-Përderisa ne nuk kemi dalë dhe të themi që arritëm marrëveshje përfundimtare kjo nënkupton që kanë mbetur elemente të cilat duhej të shqyrtoheshin në vazhdimësi”, përfundoi Ilire Dauti, nga koalicioni ASH-AAA.
TV21 kontaktoi me koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevskin, po na tha se nuk ka detaje dhe çfarë është problemi. Për këtë çështje na orientoi të pyesim palët negociatore, kryeministrin, MPB-në ose Ministrinë e drejtësisë. Pyetëm në MPB për pikat konktestuese, por përgjigje nuk morëm.
Nga ana tjetër, deputeti Elmi Aziri, në deklaratë për Portalb, është shprehur se në lidhje me këtë çështje partitë shqiptare BDI dhe BESA nuk e hapin gojën, madje janë pengesë.
Po çfarë po bëjnë realisht partitë shqiptare, BDI e Besa për ta ndihmuar këtë çështje. Arbër Ademi, koordinator i GP BDI, thotë se opozita shqiptare as nuk ua ka dërguar ligjin.
“Vetë z.Sela deklaroi se ka arritur marrëveshje me maxhorancën dhe se opozitës i mbetet të përpilojë tekstin. Tekstin e kanë përpiluar dhe fatkeqësisht BDI-së nuk ua kanë dërguar, po ua kanë dërguar LSDM-së, preferojnë që të takohen herë me Mickoskin e herë me Zaevin po assesi të ulen në një tryezë me partitë politike shqiptare dhe fatkeqësisht edhe në këtë rast propozim-ligji është dorëzuar z.Jovan Mitrevski, koordinatorit të LSDM-së dhe jo Arbën Ademit, Koordinatorit të BDI-së si parti më e madhe politike shqiptare”, tha Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.
Se opozita shqiptare nuk ka kërkuar ndihmë, e konfirmon edhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, i cili shprehet se opozitarët gjithë procesin e kanë ecur vetë, ndërsa shpreh mbështetje që shqipja të njihet si gjuhë me të cilën mund të merret shtetësia.
“Gjuha shqipe në gjithë zonat ku shqiptarët, konform edhe ligjit për përdorimin e gjuhëve, konform Kushtetutës së vendit, janë në përqindje të caktuar, që për të gjithë ata qytetarë të cilët kërkojnë marrjen e shtetësisë së republikës së Maqedonisë së Veriut, si kusht për njohje të jetë edhe njohja e gjuhës shqipe. D.m.th njëra nga gjuhët, ose gjuha shqipe ose gjuha maqedonase, nuk ka ndonjë ndryshim, edhe më herët këtë pozicion e kemi pasur”, pohoi Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
Pritet që mes opozitës shqiptare dhe pushtetit të mbahet edhe një takim i fundit, për të definuar çështjet për të cilat nuk ka dakordësim. Se kur do të mbahet takimi ende nuk është kumtuar.ora24.tv