Shkup – Reshjet e shiut kanë shkaktuar derdhje të lumenjve Vardar në fshatin Rashçe, lumit Kriva Reka dhe Pçinja, në rajonin e Kumanovës, si dhe të disa përrenjve në rajonin e Ohrit dhe Manastirit, transmeton SHENJA
Për shkak të situatës aktuale të motit, meteorologët paralajmërojnë rritje të nivelit të ujit në të gjithë përrenjtë dhe liqenet, ndërsa si më kritike potencohen rrjedha e mesme dhe e sipërme e lumit Vardar, Treska, Lepenc, Pçinja, Kriva Reka, Radikë, Sateska si dhe degët e tyre.
DPHM
“Paralajmërojmë për lëvizje të kujdesshme përskaj rrjedhave të ujrave dhe grykave, për shkak se mund të paraqiten sasi të mëdha të ujit, vërshime, rrëshqitje dhe orteqeve. Reshjet e 24 orëve të fundit edhe më tepër kanë rritur nivelin e ujit në të gjitha rrjedhat dhe liqenet në mbarë vendin. Në të gjitha stacionet hidrometeorologjike nga rrjeti kombëtar meteorologjik, ka rritje të nivelit të ujit, ndërsa më të theksuara janë tek lumi Vardar, në rrjedhën e sipërme, ku në Jegunovcë në krahasim me ditën e djeshme, shënojmë rritje për 114 centimetër, Lepenc në Shkup, 45 centimetër, Vardar në Shkup 45 cntimetër, Treska në Makedonski Brod 87 centimetër, Cërna në Novaci 100 centimetër, Radika te Urra e Boshkut 66 centimetër. Tek liqenet në krahasim me të hënën e kaluar shënohet rritje edhe atë, tek liqeni i Ohrit për 9 centimetër, tek i Prespës 4 centimetër dhe në Dojran për 1 centimetër”
Drejtoria për Punë meteorologjike informoi se më shumë shi ka rënë në Pozharan 48 litra për metër katrot, në Tetovë 39, në Vinicë 36, Krushevë 34 dhe Shkup 26 litra për metër katror.
Reshjet e shiut shkaktuan problem në komunikacion në disa lokacione, ndërsa më e vështirë situata ka qenë në rajonin e Mavrovës ku pemët e rrëzuara bllokuan rrugën, ndërsa u dëmtua edhe rrjeti i furnizimit me energji elekri duke lënë pa rrymë banorët e Dibrës për 18 orë të plota. Ndërprerja me energji u regjistrua dje në orën 10:30 minuta, ndërsa furnizimi është rikthyer në orën 04:35 të mëngjesit të sotëm. Në ujësjellësin Rosoki-Dibër, tanimë në ditën e tretë uji mbetet i turbullt për çka vazhdon të vlejë rekomandimi për të filtruar ose zier ujin para përdorimit. Ky ujësjellë furnizon me ujë për pije banorët e Dibrës, fshatrat Rajçica dhe Kosovrast i poshtëm, si dhe një pjesë të Komunës Qendër Zhupë./ora24.tv/