VIDEO/ Inter Majami mund kampionin aktual në mes të Los Anxhelosit

Inter Majami ka marrë një tjetër fitore, ku kësaj radhe ka triumfuar 1-3 në fushën e Los Angeles FC. Të udhëhequr nga Lionel Messi, skuadra e Tata Martinos ka marrë tre pikë tejet të rëndësishme në luftën për të zënë një vend në ‘Play-Off’.

Fakundo Farias, Zhordi Alba dhe Leonardo Kampanja ishin autorët e tre golave për skuadrën ku pronar është legjenda angleze Dejvid Bekam.  Lionel Messi nuk shënoi në këtë sfidë, por ai dha dy asistime të mrekullueshme. Në minutën e 51-të të gjithë ata që e panë golin menduan se janë duke parë në fushë Barcelonën e kohëve të arta me Busketsin, Messin e Alban që ishin pjesëmarrës në aksion.

Mesfushori spanjoll dha një top për shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili dhuroi një asistim magjik për Zhordi Alban me spanjollin që e dërgoi topin në rrjetë. Krejt në fund Mesi asistoi edhe për Leonardo Kampanjan, i cili i vetëm e dërgoi topin në rrjetë. Me këtë fitore Inter Majami zë vendin e 14-të në Konferencën e Lindjes me 25 pikë, por që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe qëllimi është të futën në ‘Play-Off’.