Partia opozitare VMRO-DPMNE po përgatitet për mbledhje të nënshkrimeve për ta anuluar Ligjin për Regjistrim të Popullsisë. Nga partia thonë se tashmë janë duke i përgatitur dokumentet dhe nëse pushteti miraton ligjin me forcë, atëherë nënshkrimet do t’i dorëzojnë në Ministrinë e Drejtësisë. Ata nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për tërheqjen e këtij ligji, i cili siç pohojnë, është pjesë e negociatave politike midis LSDM-së dhe BDI-së dhe për sjelljen e një ligji të ri. Në po të njëjtën kohë, Hristijan Mickoski në faqen e tij në Fejsbuk publikoi peticion përmes të cilit i thirr qytetarët ta nënshkruajnë me qëllim që të sillet ligj tjetër për Regjistrim, njofton TV21.tv
“Ky aksion do të zbatohet ashtu siç duhet, përmes Njësive Rajonale të Ministrisë së Drejtësisë. Njerëzit do të mund të nënshkruhen në Njësitë Rajonale nëpër qytete, kurse numri i nënshkrimeve nuk do të jetë diçka që duhet neglizhuar nga ana e shumicës qeverisëse. Qëllimi është që ky ligj të tërhiqet dhe të sillet një ligj i cili do të thotë një konsensus shoqëror për operacion statistikor të cilin do ta mbështesin të gjithë”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së./ora24.tv/